po ngarkohet...

Type to search

A mund ta ndjejnë kafshët tërmetin?

Sociale

A mund ta ndjejnë kafshët tërmetin?

Ndaje me miqtë

 

Në vitin 373 Para Krishtit, historianët regjistruan se si kafshët, përfshi këtu minj, gjarpërinj dhe nuselale, braktisën qytetin grek të Helicës vetëm pak ditë përpara se një tërmet ta shkatërronte.

Historitë me kafshë që parandjejnë tërmetet janë shfaqur vazhdimisht që prej atëherë.

Por, se çfarë ndjejnë me saktësi kafshët- nëse ndjejnë ndonjë gjë- mbetet një mister. Një teori është që kafshët shtëpiake dhe të egra, ndjejnë tokën teksa dridhet përpara se ta ndjejnë njerëzit. Një tjetër teori sugjeron se ata ndjejnë ndryshimet elektrike në ajër ose gazin që lëshon toka përpara tërmetit.

Tërmetet janë një fenomen i papritur. Sizmiologët nuk kanë asnjë mënyrë për ta ditur me saktësi se kur dhe ku do godasë tërmeti i radhës. Çdo vit ndodhin 500 mijë tërmete në botë. Nga këto, njerëzit ndjejnë 100 mijë dhe vetëm 100 shkaktojnë dëme.

Një nga vendet më të goditura nga tërmetet është Japonia. Shkencëtarët atje kanë kohë që studiojnë kafshët, me shpresën se do dëgjojnë apo ndjejnë diçka përpara se toka të lëkundet në mënyrë që ta përdorin si mjet për parashikim.

Sizmiologët amerikanë nga ana tjetër, janë skeptikë. Edhe pse ka pasur raste të dokumentuara të sjelljes së çuditshme të kafshëve përpara tërmeteve, Shërbimi Gjeologjik Amerikan, thotë se nuk ka një lidhje mes sjelljes specifike të kafshëve dhe tërmetit.

“Janë anekdota,” thotë Andy Michael, një gjeofizikant. Ai thotë se në vitet ’70 janë bërë studime nga ana e tyre për këtë qëllim, por asgjë konkrete nuk doli.

Megjithatë shkencëtarët vazhdojnë ta ndjekin idenë. Në shtator të vitit 2003, një mjek në Japoni bëri bujë me një studim që tregonte se sjellja e çuditshme e qenve, si lehjet apo kafshimet e tepruara, mund të parashikojnë tërmetin.

Po ashtu ka pasur raste kur autoritetet kanë parashikuar me sukses një tërmet të madh, bazuar te sjellja e çuditshme e kafshëve. Për shembull në vitin 1975, zyrtarët kinezë urdhëruan evakuimin e qytetit Haicheng me 1 milionë banorë, pak ditë përpara një tërmeti me magnitudë 7.3 ballë. Nëse qyteti nuk do ishte evakuar, numri i viktimave do i tejkalonte 150 mijë.

Kjo nxiti shkencëtarët amerikanë të bëjnë studime. Por ata thonë se një seri me dridhje më të vogla, të njohura si lëkundje parashikuese, ndodhën përpara se tërmeti të godiste qytetin kinez.

Michael thotë se do kishte një lidhje të qëndrueshme nëse kinezët do kishin zbuluar se në të gjitha tërmetet, kafshët kanë një sjellje të çuditshme.

Rupert Sheldrake ka publikuar një libër, ku thotë se në të gjitha rastet e tërmeteve të mëdha, ka pasur sjellje të çuditshme të qenve.

Gjeologët thonë se kjo teori nuk qëndron, pasi autori fokusohet shumë te efekti i fokusit psikologjik, ku njerëzit kujtojnë sjelljet e çuditshme vetëm pasi ndodh një tërmet apo katastrofë. Nëse nuk ndodh asgjë, ata nuk do kujtojnë këtë sjellje të çuditshme.