po ngarkohet...

Type to search

Gylen: “Fundi i Erdoganit ka për të qenë si ai i Hitlerit ose i Stalinit”

Analiza Editoriale Europa Kryesore Politikë

Gylen: “Fundi i Erdoganit ka për të qenë si ai i Hitlerit ose i Stalinit”

Ndaje me miqtë

Gazetari Alain Jourdain nga “Welt”, një prej gazetave më të rëndësishme në Gjermani, ka zhvilluar një intervistë me Fethullah Gylenin.

“Fundi i Erdoganit ka për të qenë si ai i Hitlerit ose i Stalinit”
Njëherë e një kohë teologu dhe predikuesi Fethullah Gylen ishte një aleat i afërt për Presidentin e Turqisë. Kurse sot Erdogani e akuzon atë si autor të përpjekjes për grusht shteti në 15 korrik 2016.

Në këtë intervistë tonën Gyleni na tregon se cilat janë të metat e Presidentit të Turqisë.
Prej shumë vitesh, “armiku i shtetit” numër një i Turqisë, Fethullah Gyleni, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe kjo intervistë që zhvilluam ne, u realizua në banesën e tij në Pensilvani, e cila ruhet nga forca policore. Gyleni, ky njeri të cilin qeveria turke e sheh si “rrezikun më të madh”, është 78 vjeç dhe me një shëndet fare të dobët. Ankaraja i kërkon qeverisë amerikane ekstradimin e Gylenit, por, deri më sot, kjo kërkesë nuk ka marrë asnjë përgjigje pozitive. Qeveria turke pretendon se pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 qëndrojnë pikërisht ky predikues dhe lëvizja Hizmet. Ndërsa Gyleni e mohon këtë akuzë. Në pamundësi për të bërë diçka, ai është i detyruar që të shohë mbështetësit e tij se si ndiqen deri edhe në dhomat e Kombeve të Bashkuara.

Pse ju urren kaq shumë Erdogani ju? Dikur ju keni qenë aleatë.
Erdogani nuk ndan të njëjtin botëkuptim me mua. Ish-Presidenti i Turqisë Turgut Ozali, kur ishte kryeministër, e pati zgjidhur këtë problem pjesërisht duke përfshirë në qeverinë e tij ministra kurdë, social-demokratë dhe nga qarqe të ndryshme politike. Unë jam i mendimit që duhet të mundësohen më shumë liri, si dhe që gjuha kurde të mësohet lirshëm nëpër shkolla. Dhe për këtë, ka nevojë për një shtet që nuk qeveriset më së shumti nga qendra. Nëse një ditë do të bëhej një reformë, do të këshilloja Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, në të cilën qytetarëve u njihen më shumë liri.

Si e konceptoni ju lirinë? Erdogani mendon se gruaja e ka vendin në kuzhinë. A është edhe kjo një nga arsyet e prishjes së marrëdhënies mes jush?
Unë personalisht nuk jam ithtar i një modeli patriarkal. Sepse ky model, nëse do të kemi parasysh fillimet e Islamit në histori, është një hap i bërë mbrapa. Gruas i duhet bërë e mundur që ajo të ketë mundësinë të përfshihet në çdo hapësirë të shoqërisë. Nëse ajo do që të bëhet gjyqtare, apo pilote, atë nuk duhet të ketë asgjë që ta privojë nga kjo e drejtë.
Erdogani dëshiron edhe që të zërë një vend në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht në një gjeografi të caktuar. Si do ta komentoni ju ndërhyrjen ushtarake që realizoi ai në Siri në fund të vitit 2019?
Ajo ishte një lëvizje për të ndryshuar rrjedhën e opinionin publik. Deshi që ta drejtonte tjetërkah vëmendjen e njerëzve, si e si për ta larguar nga problemet e brendshme që shqetësojnë sot Turqinë. Jo vetëm kaq, natyrisht, sepse ky ishte edhe një rast shumë i mirë për të shpallur përpara botës që ai është një njeri shumë i fortë në botën myslimane. Vetëm se ne e shohim shumë qartë rezultatin e asaj çfarë ndodhi në Siri. Duke mbështetur një kryengritje që nuk është realiste ai u bë një vrasës. Edhe vetë personalisht ka një përgjegjësi shumë të madhe për gjithçka që ndodhi. Me mijëra të vdekur, miliona refugjatë, gjithë këto ngjarje të tmerrshme…
Në një masë të madhe i ka duart e përgjakura. Një nga ish-ministrat e tij më pati pyetur dikur, se cila ishte rrugëzgjidhja për krizën në Siri. Dhe unë i pata thënë se duhej arritur medoemos një marrëveshje, në mënyrë që hap pas hapi të mund të shkohej drejt demokracisë. I pata theksuar se duhej mbështetur një proces i atillë që Siria do të shkonte gradualisht drejt demokracisë, madje, nëse do të ishte e nevojshme në këtë hulli, mund të ofrohej mbështetje edhe që Esadi të qëndronte edhe për një a dy mandate të tjera si president. Vetëm se në një rast të tillë, në parlament duhet të kishte përfaqësim për çdo shtresë të shoqërisë, qoftë ajo pakicë, apo shumicë. Por, për ta thënë me pak fjalë, këshillën time bënë sikur nuk e dëgjuan.
Edhe ndërhyrja e Erdoganit në situatën në Libi, gabim është?
Në Libi gjithmonë ka pasur tensione në zona të caktuara të saj. Edhe atje, duke mbështetur vetëm disa grupe të caktuara Erdogani mori përsipër sërish një rol negativ. Erdogani po provon çdo lloj tentative për të qenë ai lideri i shoqërisë islame, mirëpo si mund ta marrë përsipër një mision si ky një njeri, ndërhyrjet e të cilit shkaktojnë konflikte ndërmjet myslimanëve suni? Dhe, hap pas hapi, ai po zhytet në batakun e kundërshtive mes asaj që do dhe atyre që bën. Njësoj si në rastet e Hitlerit dhe të Stalinit, të gjithë tiranët narcistë i pret një fund i keq. Sundimi i tyre përmbyllet me mllef. Edhe ai të njëjtin fat do të përjetojë.

Erdogani po vijon të ushtrojë trysni mbi Perëndimin duke u kanosur se do të largohet nga NATO. Juve jua merr mendja, mund ta bëjë ai vërtet diçka të tillë?
Erdogani duket sikur po i afrohet organizatës së Rusisë dhe Shangait për bashkëpunim. Por ky është një blof. Njëfarësoj është si një provë shantazhi. Nuk mund të heqë dorë prej Perëndimit. Ka nevojë për të edhe për vetë sigurinë e tij. Kështu flet për të bindur ndjekësit e tij. Mendimi im, personalisht, është që Turqia duhet t’i mbajë të forta lidhjet dhe marrëdhëniet e saj me NATO dhe Evropën. Por ç’e do se Turqia ka dalë pothuajse fare nga rendi i ditës për sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian. A jeni të mërzitur nga ky fakt? Tani, si mund të bëhesh anëtar i BE me një qeveri totalitare; nuk më duket edhe aq e mundur. Nga njerëzit që përpiqen të qëndrojnë në pushtet duke përdorur dhunën, urrejtjen dhe ndjenjën e hakmarrjes nuk mund të presësh asgjë. Turqia e ka humbur tërë besueshmërinë e saj në sytë e vendeve si Franca dhe Gjermania. Lëvizja jonë ka për të qenë gjithmonë në përpjekje për një afrim me Bashkimin Evropian, sepse prej tij mund të përfitojmë duke mësuar jashtëzakonisht shumë.

Erdogani duket sikur po afrohet me Vëllazërinë Myslimane. Çfarë do të thoshit për këtë?
Është një makiavelist. Nëse tregohet i afërt me Vëllazërinë Myslimane këtë e bën vetëm e vetëm për hir të ndonjë llogarie të caktuar. Nëse ndodh që ata të humbasin ndikimin e tyre, ai ka për t’i lënë duke i braktisur.

Si e vlerësoni ju rolin e lëvizjes suaj në të ardhmen?
Lëvizja Hizmet, edhe në të ardhmen ka për të qenë një organizatë humanitare. Sepse ky është qëllimi ynë parësor. Fatkeqësisht, në një kontekst kaq të keq ajo po vihet përballë shumë vështirësish. Ne jemi një lëvizje shumë e vogël, e megjithatë, pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë të jemi në mbrojtje të konceptit tonë për harmoni shoqërore, respekt të ndërsjellë, dashamirësisë për njeriun dhe diversitetin. Unë jam i besimit se vlerat universale njerëzore mund të na bashkojnë të gjithëve me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në besim. Fare pranë kam qenë në një spital këtu për t’u kuruar. Atje u përballa me doktorë të krishterë dhe hebrenj, të cilët trajtuan një pacient mysliman duke treguar një respekt shumë të lartë. Dhe Zoti me njerëzit vepron sipas punëve të tyre dhe jo sipas asaj se si shfaqen ata.