po ngarkohet...

Type to search

Indrit Hoxha refuzon betimin në Parlament

Parlament

Indrit Hoxha refuzon betimin në Parlament

Ndaje me miqtë

Indrit Hoxha nga lista e PD refuzon betimin në Parlament. Një ditë më parë KQZ i dha atij mandatin e deputetit, nga lista e Tiranës.

“Neveri për këtë parlament ilegjitim! Unë Indrit Hoxha, kandidat në listën vijuese të Partisë Demokratike te Shqipërisë ndërmarr sot këtë akt politik në emër te babait tim të ndjere Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal qe nuk reshti deri ne frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci. E ndërmarr ketë akt politik ne shenje revolte dhe neverie kundër krimit te rilindur të këtij parlamenti ilegjitim dhe në respekt të vlerave të familjes time dhe sidomos ato qe im atë me la trashëgimi. Refuzoj të marr mandatin e deputetit në një vend ku klika kriminale në pushtet ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Larte dhe ka kapur drejtësinë”, deklaroi Indrit Hoxha.

Gramoz Ruçi: Zoti Indrit këtë mund ta bëjë deklaratë për shtyp jashtë, në sallë mund të mos vije. Ti me vullnetin tënd ke bërë kërkesën dhe ke kërkuar mandatin e deputetit. Është e drejta jote kushtetuese të mos bësh betimin. Rrugë e mbarë, suksese në jetë!

Ndërkohë Koçi Tahiri, Kujtim Gjuzi dhe Klajdi Qama janë betuar në këtë seancë, duke pranuar përfundimisht mandatin e deputetit.

Nga ana tjetër, jashtë Parlamentit është zhvilluar një protesta e të rinjve të opozitës. Pjesa më e madhe e tyre është pajisur me maska dhe me kartonë të kuq dhe bluza me flamuj të vendeve të Bashkimit Evropian, për të simbolizuar refuzimin e BE për fillimin e negociatave me Tiranën zyrtare. Kryetarja e LRI-së Floida Kërpaçi tha se nga krimi ne Parlament rinia po ikën në emigrim.

“Papunësia, arsimi i dobët, mungesa e shpresës dhe shtetit të së drejtës, arsye kryesore që shtyjnë rininë në azil apo emigrim jashtë Shqipërisë e familjes. LSI është partia e të rinjve dhe misioni i opozitës është rikthimi i shpresës te rinia për ta parë Shqipërinë si shtëpi e për të ndërtuar këtu të ardhmen”, tha ajo.