po ngarkohet...

Type to search

Ken Dhima dhe dajo “dollibashi”

Editoriale Pedonale

Ken Dhima dhe dajo “dollibashi”

Ndaje me miqtë

Sikurse kishim premtuar, gazeta jonë do të vijojë të botojë skandalet dhe bëmat e gjyqtarit Ken Dhima, me qëllimin fisnik, për t’i bërë prezent publikut të gjerë nivelin profesional, intelektual të gjyqtarit, por edhe për të provuar derexhen në të cilën është katandisur drejtësia shqiptare, falë personazheve të kësaj kategorie.

Episodi që do të botojmë sot, në pamje të parë duket surreal, i pabesueshëm dhe i pakonceptueshëm për një logjikë normale dhe të shëndoshë, por me sa duket, kur në mes është gjyqtari Ken Dhima, ligji, logjika dhe drejtësia humbin çdo kuptim dhe marrin trajtën e legjendave urbane.

Ndërkohë që në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë është bërë praktikë, që kush shkel rregullat e qarkullimit rrugor, penalizohet me heqje të patentës, madje deri në procedim dhe dënim penal, e kundërta ndodh nëse çështja jote gjykohet nga gjyqtari Ken Dhima. Kjo gjithmonë nëse arrin ti gjesh telat.

Episodi konkret lidhet me një shtetas, i cili është ndaluar nga policia rrugore e qytetit të Vlorës për një kontroll rutinë, nga i cili ka rezultuar se personi në fjalë kishte shkelur ligjin, duke qenë se po drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Për këtë shkak, nga ana e policisë rrugore i është hequr leja e drejtimit të mjetit. Duke mos qenë dakort me këtë masë të policisë, shtetasi në fjalë i është drejtuar Gjykatës, duke kërkuar rikthimin e lejes së drejtimit të hequr “padrejtësisht”.

Për fatin e mirë të personit në fjalë, çështja e tij, i ra për pjesë që ta gjykonte Ken Dhima, i cili pas një analize të plotë, objektive dhe ligjore të saj, arriti në përfundimin se policia kishte gabuar rëndë duke i hequr patentën dhe se ajo duhet t’i kthehej. Sipas gjyqtarit Ken Dhima, personi i cili ishte ndaluar nga polica vinte nga një dasëm, në të cilën martonte nipin e tij.

Duke qenë daja i dhëndrit, personi i penalizuar “padrejtësisht” nga policia, kishte qenë i angazhuar, si dhe kishte pasur detyrën dhe përgjegjësinë e dollibashit të dasmës. Kjo është një përgjegjësi e madhe, e cila sipas normave zakonore, parashikon abuzimin e pamasë me alkolin, me qëllim nderimin e dhëndrit dhe të fisit në tërësi.

Ken Dhima, duke i njohur mirë këto norma zakonore, si dhe duke vlerësuar me seriozitet dhe objektivitet rëndësinë e tyre, ka marrë vendim që dajo “dollibashit” duhet t’i kthehej patenta, pasi roli dhe përgjegjësia e tij kishte qenë shumë e madhe dhe ai e kishte përmbushur atë plotësisht, duke nderuar veten, dhëndrin dhe fisin.

Sipas gjyqtarit, edhe pse zotëria në fjalë kishte pirë alkol tej normave të lejuara nga ligji, si daja i dhëndrit, ai kishte mbajtur mbi shpatulla përgjegjësinë e madhe të “dollibashit”, duke ndjekur me vigjilencë maksimale situatën e dollive në dasëm dhe duke mos gabuar në asnjë moment. Për këtë shkak, do të ishte “e paligjshme”, “amorale” dhe “e padrejtë”, që Gjykata të pranonte që dajo “dollibashi” të penalizohej, pas kryerjes së një detyrë të tillë kaq fisnike.

Episodi i përshkruar më sipër mund të duket si fryt i humorit të hollë që karakterizon në përgjithësi qytetin e Vlorës, por jo, në fakt, episodi në fjalë është një ngjarje e vërtetë, e çertifikuar me një vendim gjyqësor.

Ky është një tjetër tregues i qartë i shkallës së degradimit të sistemit gjyqësor, vendimet e të cilit, krahas shumë meritave që kanë marrë në këto vite, tashmë duan të marrin dhe meritat si “gaztorë”.

Megjithatë, pavarsisht të gjithave, rëndësi ka që dajo “dollibashi” ishte në gjendje të nderonte veten, nipin që martohej dhe gjithë fisin e tij, madje deri në atë shkallë sa aftësitë e tij të zyrtarizoheshin me një vendim gjyqësor. Këtë privilegj, pak dajo e kanë pasur.