po ngarkohet...

Type to search

Midis dy zjarresh

BLOG Dr. Gjilpëra

Midis dy zjarresh

Ndaje me miqtë

Nga Edmond Tupja

Melhem, pomadë e balsam, e tillë është koha që kalon, herë shumë ngadalë,  herë shumë shpejt, por, sidoqoftë, ajo kalon, plagët zënë  kore, mbyllen, ndonëse vragat përkohësisht, të tjerat gjithë jetën. Kështu ndodhi me tërmetin e fundit në vendin tonë historikisht problematik nga të gjitha pikëpamjet, natyrore e shoqërore. Pasojat e tij, reagimet e njerëzve, të partive, të shoqatave, të mediave etj., etj., por sidomos të qeveritarëve e të opozitës hodhën valë, pastaj u fashitën, mandej u shuan, u harruan justifikimet dhe zbythjet e të parëve, kritikat dhe sulmet e së dytës, u shuan e u harruan tashmë, sepse koha, e pamëshirshmja kohë, kaloi si pa u ndier.

Po, koha kaloi si pa u ndier, por ja që Zoti, Perëndia, Allahu apo Rastësia, quajeni si të doni, nuk na lënka rehat ne, mëkatarëve të pafajshëm shqiptarë dhe, me t’u fshirë nga ekrani i aktualitetit fantazma e tërmetit, na futi midis dy zjarresh, kështu që harruam përkohësisht tumoret malinje që e kanë mbërthyer aq keq shoqërinë tonë të hallakatur, të çoroditur e të shkalafendur, të tillë si keqqeverisja, korrupsioni, kriminaliteti, varfëria, papunësia dhe emigracioni ndër shumë e shumë të tjerë.

Cilët janë këta dy zjarre? Sigurisht, e prisja këtë pyetje nga ana juaj, të nderuara lexuese dhe të respektuar lexues të kësaj rubrike të përjavshme, prandaj po nxitoj të hyj në temë: I pari nga këto dy zjarre, qe padrejtësia që Komiteti i Çmimit Nobel i bëri Ismail Kadaresë, duke mos ia dhënë këtë çmim prestigjioz, të cilin, sipas mendimit të njëzëshëm të personaliteteve të shumta letrare, intelektuale e kulturore jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë kufijve të tij, shkrimtari ynë kombëtar e meritonte plotësisht.

I dyti nga këto zjarre, qe bomba e papritur për kryeqeveritarin tonë dhe shpurën e tij ministrore, d.m.th. vendimi negativ i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë tonë politikisht, ekonomikisht e shoqërisht të stërkrimbur e të stërkalbur nga brenda.

Midis këtyre dy zjarreve u gjendëm kështu të gjithë ne, burra e gra, të mirë e të këqij, të ndjeshëm e të pandjeshëm, fatbardhë e fatzinj, të pasur e të varfër, të lumtur e të humbur. Këto dy zjarre na tërhoqën e na ndezën vëmendjen, na shtynë në debate, hamendësime, shpresa e zhgënjime, dukuri këto që, për disa ditë, na bënë të harronim hallet e përditshme…

Na bënë të harronim hallet e përditshme… Oh, prisni, prisni pak, o lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm, se për një fije mend më shpëtoi një hollësi: Hallet e përditshme na bënë të harronim… Ç’do të thotë kjo? Cilët qenkan ato dhe ata që përmbledh fjala “na”? Të jemi vallë vetëm ne, pra, vetëm ju, unë dhe të tjerë si ne që kemi kohë e sidomos kushte të informohemi për çdo gjë që ndodh në botë, si edhe kryesisht për aktualitetin shqiptar në kuadrin e marrëdhënieve të tij me Europën dhe Amerikën në rrafshet e politikës, ekonomisë, kulturës, sporteve dhe të arteve?

Po t’i përgjigjesha pozitivisht kësaj pyetjeje, do të bëja një gabim të pafalshëm, që sigurisht do të ma vinte menjëherë në dukje, sot apo nesër, ndonjëri prej përfaqësuesve të shumicës së heshtur të shqiptarëve të varfër, le ta quajmë atë Varfnor Varfanjaku, që dy zjarret e lartpërmendur, sado të nxehtë paçin qenë, e kanë lënë të mardhur e të ftohtë në kuptimin e figurshëm të fjalës, d.m.th., moskokëçarës lidhur me Komitetin e Çmimit Nobel dhe padrejtësinë e tij ndaj Ismail Kadaresë, lidhur gjithashtu me Bashkimin Europian dhe padrejtësinë e tij ndaj Shqipërisë.

Përse kështu vallë? Thjesht sepse shqiptarët e varfër nuk kanë vetëm halle, por edhe andralla, brenga, belara, bezdisje, derte, siklete, shqetësime, taksirate e telashe pa fund për shkak të KEQQEVERISJES së vendit. Thjesht, sepse shumica e heshtur e shqiptarëve të varfër mendojnë vetëm për bukën e gojës së familjeve të tyre dhe nuk kanë kohë, as dëshirë, të merren me art, kulturë e aq më pak të merren me politikë, të cilën, proverbialisht e dëshpërimisht, ata, ashtu si paraardhësit e tyre, vazhdojnë ta quajnë kurvë, një kurvë kryekëput kriminele, e cila, prej tri dekadash, por sidomos këto vitet e fundit, në emër të së ardhmes së bardhë europiane, po ua nxin atyre jetën me katran e karabojë të pashlyeshme.

Etiketime: