po ngarkohet...

Type to search

Pas Bashës, Bardhi shkon në Prokurori

Politikë

Pas Bashës, Bardhi shkon në Prokurori

Ndaje me miqtë

Pas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në prokurorinë e Tiranës është paraqitur edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ndërsa pritet për t’u parë nëse do të shkojnë Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Kryetari i Partisë Demokratike u paraqit sot në orën 09:00 në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me kontratat e lobimit në SHBA.

Partia Demokratike doli me një sqarim ku tregoi arsyet pse Basha vendosi që të paraqitet në prokurori.
Në reagimin e PD shkruhet se “Basha shkoi në prokurori, pasi prokuroria hoqi dorë nga kërkesa e paligjshme për thirrjen për njohje me aktet”.

Sipas PD Bashës i ka ardhur një shkresë tjetër e formuluar brenda kërkesave ligjore që kërkon dëshmi në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.

“Basha shkoi sot në prokurori, pasi prokuroria hoqi dorë nga kërkesa e paligjshme për thirrjen për njohje me aktet. Bëhej fjalë për njohjen me letërporositë që kanë shkuar që në gusht në prokurori dhe i bëjnë publike tani, sipas axhendës politike të Ramës. Pasi ne i thamë të enjten se kërkesa është e paligjshme dhe i shërben qeverisë, erdhi një shkresë tjetër, e formuluar brenda kërkesave ligjore, që kërkon dëshmi në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Njësoj si disa muaj më parë, kur ka dhënë një dëshmi të ngjashme, Basha u paraqit në prokurori”, – thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

Disa ditë më parë kryedemokrati Basha në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës e ka konsideruar kërkesën e paraqitjes në prokurori për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.