po ngarkohet...

Type to search

SKANDAL/ Gjyqtari Ken Dhima ligjëron falsifikimin

Ekskluzive

SKANDAL/ Gjyqtari Ken Dhima ligjëron falsifikimin

Ndaje me miqtë

Ndërkohë që ne presim me kërshëri reformimin e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të ndihen dhe të përjetohen edhe efektet e para të një sistemi normal drejtësie, çudirat e sistemit aktual, të degraduar, të drejtësisë vijojne. Protagonsitë të këtyre çudirave normalisht që do të jenë gjyqtarët, përfaqësuesit më të denjë të këtij sistemi të kalbur. Ndër ta, një ndër pesonazhet më tipik dhe një ndër përfaqësuesit më të denjë të sistemit është Ken Dhima, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.

I vënë disa herë në hetim disiplinor nga KLD-ja e famshme, çdo herë ai ka arritur që të mbijetojë, falë “argumentave” bindës që ka paraqitur përpara KLD-së. Madje, pjesë e argumentave të tij kanë qenë dhe deklarata të tipit, “Vetingun Sorosian”, apo “Unë bëj vendime, nuk bëj pica” etj, aspak serioze dhe të denja për një gjyqtar karriere. E megjithatë, falë paanësisë, ligjshmërisë dhe objektivitetit të KLD-së, Ken Dhima, vijon edhe sot e kësaj dite që të japë “drejtësi” në emër të Republikës.

Rasti më i fundit lidhet me vendimin Nr.1372, datë 06.11.2018, me të cilin gjyqtari në fjalë ka miratuar zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Çika”shpk, duke miratuar dhe planimetrinë e sheshit të ndërtimit. Në pamje të parë, ky është një vendim normal gjyqësor, i cili ka detyruar Bashkinë Vlorë të kryejë një veprim administrativ formal. Në fakt, ky vendim përbën një precedent dhe skandal më vete, sa i përket papërgjegjshmërisë, paligjshmërisë dhe deformimit të drejtësisë.

Ken Dhima, duke përdorur pushtetin që ligji i ka dhënë për të bërë drejtësi, i ka dhënë të drejtë vetes që të ligjërojë dokumenta të fasifikuara. Për më tepër, akte për të cilat Gjykatat shqiptare kanë marrë vendim që të asgjesohen dhe të mos lejohet më përdorimi i tyre. Konkretisht, me vendimin Nr.1372, datë 06.11.2018 të marrë nga gjyqtari Ken Dhima, është detyruar Bashkia Vlorë që të shtyje afatin e një leje ndërtimi, planimetria e sheshit të së cilës është konstatuar e falsifikuar me vendimin nr. 280, datë 21.07.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, i lënë më pas në fuqi me vendimin nr.216, datë 28.04.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë. Në këto vendime, është urdhëruar asgjesimi i aktit, Vendim nr. 2/13, datë 31.10.2007 i KRRT Bashkia Vlorë për miratim leje sheshi ndërtimi, si një akt i falsifikuar.

Por çfarë ka ndodhur me këtë akt, i cili me vendim Gjykate është urdhëruar të asgjesohet? Me vendimin Nr.1372, datë 06.11.2018 të marrë nga gjyqtari Ken Dhima, ai jo vetëm që është ricikluar, edhe pse i paligjshëm, por për më tepër është përdorur si dokumenti kryesor për të detyruar Bashkinë që të shtyjë afatin e lejes dhe të miratojë planimetrinë e sheshit të ndërtimit.

Ajo që e bën me skandaloze vendimmarrjen në fjalë është fakti që, gjyqtari Ken Dhima, në vendimin e marrë, në faqen 5 të tij i referohet faktit që Vendimi nr.2/13 i KRRT-së është i falsifikuar dhe është urdhëruar asgjesimi i tij. Pra, ai pranon se ka dijeni se ai është një akt i falsifikuar, përdorimi i të cilit është ligjërisht i dënueshëm. Ndërkohë, më tej, në faqen 8 të vendimit shprehet se, një ndër provat ku bazohet vendimmarrja e tij është pikërisht dhe vendimi nr.2/13 i KRRT-së. Pra, në mënyrë të qartë, pa asnjë ekuivok dhe me ndërgjegje të plotë, Ken Dhima ka pranuar se ka marrë vendimin e tij, duke përdorur një dokument të falsifikuar dhe për të cilin ka një vendim asgjesimi. Duke pranuar këtë fakt, Ken Dhima, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme ka konfirmuar skandalin e paprecedent që ka konsumuar, si dhe ka pranuar vetë, se me dashje ka konsumuar veprën penale të përdorimit të dokumentave të falsifikuara, me pasoja të rënda. Për fatin e tij të keq, nuk justifikohet dot me mosnjohje të ligjit, rrethanave apo fakteve, duke qenë se vetë pozita e tij dhe arsyetimi që ka përdorur ja kanë bllokuar rrugën kësaj alibie.

Urojmë që batutat me “Veting Sorosian” ti bëjnë punë edhe kur të paraqitet përpara prokurorisë për kryerjen e veprave penale të përdorimit të dokumentave të falsifikuara dhe shpërdorimit të detyrës.

Në ditët në vijim, gazeta jonë do të vijojë të informojë lexuesit e saj për skandale të tjera që kanë shoqëruar këtë çështje, në Bashkinë Vlorë dhe më gjerë e që hedhin dyshime të arsyeshme për interesa të paligjshme.