po ngarkohet...

Type to search

Aplikoni që sot! Të pastrehët nga tërmeti në Tiranë, ja tre hapa për të përfituar qira falas nga bashkia

Aktualitet Sociale

Aplikoni që sot! Të pastrehët nga tërmeti në Tiranë, ja tre hapa për të përfituar qira falas nga bashkia

Ndaje me miqtë

Mbi një mijë familjet në kryeqytet që kanë mbetur në qiell të hapur pas tërmetit të madh, mund të përfitojnë qira falas nga Bashkia e Tiranës. 

Këshilli bashkiak miratoi dje vendimin që parashikon ndryshime në buxhet duke ndarë veç një fond prej 350 milionë lekësh të rinj për përballimin e dëmeve. Një pjesë e mirë e kësaj shume do të shkojë për strehimin në banesa, për t’u ofruar një shtëpi të paguar nga bashkia personave që aktualisht janë strehuar në hotele apo qendra sociale.

Familjet, banesa e të cilëve është konstatuar dhe vulosur nga instituti i ndërtimit si e pabanueshme, mund të aplikojnë që sot pranë njësive të tyre administrative për të përfituar shumën prej 18, 22 apo 27 mijë lekësh të rinj/muaj për t’u strehuar për një vit rresht, derisa bashkia të gjejë zgjidhjen përfundimtare për banesat e tyre.

Përveç mundësisë për përfitim që përllogaritet t’u shërbejë 1082 familjeve, bashkia ka thjeshtuar dhe mënyrën e përfitimit të bonusit të qirasë në masën 100%.

Mjafton një mjet identifikimi, një certifikatë familjare që tregon sa persona janë në trung, për të plotësuar formularin që i bën ata përfitues të shumës që siguron strehim në një shtëpi të strukturës 1+1, 2+1 apo 3+1 (sipas vlerave të lartpërmendura).

Hapi i tretë është hapja e një llogarie bankare për derdhjen e shumës së përmuajshme nga bashkia.

Pritshmëritë e kryebashkiakut Erion Veliaj janë që brenda muajit, ky proces të përmbyllet, duke bërë që çdo familje të presë festat në banesën e tij dhe jo në qendra sociale apo hotele.

“Para Vitit të Ri t’i mbyllim qendrat sociale për këto komunitete. Duhet që Tirana t’i ikë krizës dhe të nisë jeta normale në apartamentet e reja. Aplikimi pranë njësisë administrative të nisë që sot. Tashmë një e treta e ka bërë aplikimin”.

Veç pagesës së qirasë, bashkia ka bërë gati dhe miratuar listën me 500 familje të tjera që përfitojë pagesë cash për të riparuar dëme të vogla në banesa.

Sipas kreut të bashkisë, Tirana ka përballuar me sukses të dyja tërmetet, edhe pse me intensitet në rritje me të dytin. Nga 265 mijë apartamente, bëhet e ditur se më pak se një mijë prej tyre janë në proces verifikimi të thelluar dhe janë shpallur të pabanueshme.

Për të gjithë këto familje do të ofrohet strehim i përkohshëm deri në rindërtimin e banesave. Aktualisht, një e treta e tyre kanë aplikuar dhe plotësuar formularin për përfitimin e qirasë në masën 100 për qind.

Alokimi i një fondi të tillë për nevojat e qytetit në këtë rast emergjence, do të lërë pa shpërblimin e fundvitit punonjësit e bashkisë, ndryshe nga ç’kishte planifikuar Veliaj. Një pjesë e fondit total prej 350 milionë lekësh do të shkojë për riparime jothelbësore, për të blerë mobile për banesat, për shpenzime operative për riparimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve si dhe për marrje mjetesh me qira nga IKMTja, e cila ka asistuar në disa operacione shembjesh dhe rregullimesh posttërmet.