po ngarkohet...

Type to search

Edmond Islamaj, Kronika e një vetingu të dështuar

Editoriale

Edmond Islamaj, Kronika e një vetingu të dështuar

Ndaje me miqtë

“Përgjegjshmëria shpërblehet”, ishin fjalët e vetme që do të artikulonte duke dalë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Edmond Ismalaj, pas seancës që e rikonfirmoi në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Shumë therëse këto fjalë për publikun e gjerë, i cili ndërsa është duke pritur me padurim pastrimin e plotë dhe pa kompromis të sistemit të kalbur dhe degraduar të drejtësisë, e gjen veten të detyruar të shikojë skena të tilla patetike, fyese, madje edhe arrogante të një prej përfaqësuesve të denjë të këtij sistemi të kalbur drejtësie.

Se sa i përgjegjshëm ka qenë Edmond Islamaj, dhe i gjithë soji i tij, në detyrën që kanë kryer, më mirë se sa fjalët, e tregon derexheja në të cilën është katandisur sistemi i drejtësisë në Shqipëri këto 28 vite. Rrallë kund në botë, mundet të gjendet një vend tjetër si Shqipëria, ku drejtësia, e përfaqësuar nga z.Islamaj dhe kolegët e tij, të jetë shpërfytyruar në nivele kaq ekstreme, sa edhe jeta njerëzore të shndërrohet në një mall pa vlerë dhe pa Zot. Nuk e dimë se sa seriozisht e ka marrë KPK rastin e Edmond Islamajt, nuk e dimë se çfarë kanë administruar në dosjen e tij, sikurse dhe nuk e dimë se çfarë shkaqesh apo arsyesh madhore e kanë detyruar komisionin të marrë atë vendim që mori, por pavarsisht vendimit të marrë, është fakt që sot, mbi 95 % e shqiptarëve do të ishin më të qetë dhe më të lehtësuar, nëse ky zotëri do të ishte nxjerrë jashtë dyerve të drejtësisë.

Për KPK-në gjyqtari Islamaj rezultoi i rregullt nga verifikimi, prandaj të ndodhur në situatën ku KPK-ja nuk i “ka” pasur mundësitë për të bërë verifikimet e nevojshme, po e bëjmë ne me dije faktin që, Edmond Islamaj, në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është aktualisht në hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, si i dyshuar për veprën penale të korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe atë të shpërdorimit të detyrës. Jo vetëm kaq, por rasti për të cilin ai është kallëzuar lidhet me një ngjarje shumë të rëndë të ndodhur në qytetin e Vlorës, e njohur si masakra e Çoles, me pasojë humbjen e tre jetëve, të cilat për gjyqtarin në fjalë, por edhe për kolegët e tij, kanë qenë thjeshtë një mundësi për të bërë ca lekë më shumë.

Dosja në fjalë, më datë 07.12.2016, vetëm 7 ditë pasi kishte ardhur nga Apeli Vlorës, është regjistruar në Gjykatë të Lartë dhe brenda 2 muajsh e gjysëm, konkretisht më datën 23.02.2017 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilit edhe Edmond Islamaj, ka marrë vendimin. Pra, dosja në fjalë, ka parakaluar me qindra dhe mijëra dosje të tjera, të cilat kanë nga 2-3 dhe më tepër vite që presin të gjykohen, pa asnjë shkak apo arsye ligjore, vetëm për shkaqe të lidhura me paligjshmërinë dhe korrupsionin. Nuk besojmë se ka nevojë për provë më të qartë, më të pastër apo për hetim, për një situatë kaq evidente, në të cilën një dosje me tre viktima, studiohet, analizohet dhe gjykohet për 2 muaj e gjysëm, pa respektuar radhën e gjykimit, në kundërshtim me ligjin dhe urdhërat e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Urdhëra, të cilat në mënyrë shumë të qartë kanë përcaktuar se, gjykimi i çështjeve në Gjykatë të Lartë do të vijojë të bëhet vetëm sipas radhës së gjykimit, duke respektuar radhën e regjistrimit të tyre.

Paligjshmëria vijon edhe më tej, dhe me arrogancën e pushtetit dhe detyrës, Edmond Islamaj, në kohën kur dosja u kthye përsëri në Gjykatë të Lartë nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse e kishte gjykuar një herë më parë dhe ndërkohë ishte në hetim nga prokuroria për këtë dosje, e mori përsëri vetë këtë. Por çudia përsëri nuk mbaron me kaq. Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e saj më datë 14.12.2017, ndërkohë që vetëm një ditë më pas, më datë 15.12.2017, dosja është dërguar në Gjykatë të Lartë, konkretisht tek gjyqtari Edmond Islamaj.

Ky përbën një rast unikal në gjithë historikun e sistemit 28 vjeçar, “demokratik”, të drejtësisë shqiptare. Jo vetëm kaq, por Edmond Islamaj, pa studiuar, analizuar apo vlerësuar me objektivitet provat, e ka kaluar çështjen direkt në statusin “gjyq”, një tjetër precedent i pa hasur më parë në historinë e drejtësisë shqiptare, duke qenë se janë me mijëra dosje të tjera të regjistruara shumë më parë në kohë, të cilat edhe sot e kësaj dite janë në pritje, me statusin “studim dosje”.

Këto koiçidenca të shumta, në lidhje me këtë çështje, janë tregues i qartë se, gjyqtari Edmond Islamaj, dhe kolegët e tij të Kolegjit Penal, ishin shumë të vendosur që ti çonin deri në fund veprimet e tyre, me qëllimin final, lehtësimin, pse jo edhe lirimin e vrasësve.

2 Këto veprime këmbëgulëse, për mbylljen me çdo kusht të çështjes së vrasjeve, për rastësi përputhen plotësisht edhe me thashethemet e pakonfirmuara, por të përhapura gjerësisht në qytetin e Vlorës, se vrasësit që po gjykonte Edmond Islamaj dhe kolegët e tij, kishin vënë në dispozicion të një drejtësie sa më funksionale më tepër se 500 mijë Euro. Shifër, e cila është me të vërtetë tunduese, edhe për një gjyqtar të përgjegjëshëm si Z.Islamaj dhe që do ta shtynte atë të kalonte për gjykim një çështje pa kaluar as 24 orë nga paraqitja e saj në Gjykatë.

Në një vend normal, me shtet ligjor dhe drejtësi funksionale, këto rastësi të shumta dhe të çuditëshme do të kishin qenë mëse të mjaftueshme që sot, këta gjyqtarë, përfshi edhe Z.Islamaj, të ishin në burg dhe pa asnjë diskutim shumë, shumë larg zyrave të drejtësisë. Por jo, ne nuk jemi një vend normal, ne nuk kemi një shtet ligjor dhe nuk kemi një drejtësi reale dhe funksionale, përkundrazi ne jemi një vend ku mund të bëhet pazar për gjithçka dhe me gjithçka, madje edhe me jetën njerëzore, duke thelluar plagët dhe duke hapur plagë të reja të rënda. Këta gjyqtarë dhe prokurorë, të kategorisë së Edmond Islamajt, janë specia më e rrezikshme njerëzore, madje edhe më të rrezikshëm se vrasësit serial skizofrenë, sepse janë pikërisht këta që janë kujdesur që shoqëria shqiptare të jetë e furnizuar rregullisht me vrasës, trafikantë dhe çdo kategori tjetër krimineli.

Rikonfirmimi në detyrë i tij, nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke marrë në konsideratë që të dhënat për çështjen në fjalë i janë bërë prezent Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, është një goditje e rëndë ndaj besueshmërisë së procesit të vetingut dhe vetë reformës së shumë pritur të drejtësisë. Prandaj, në këto kushte, e vetmja gjë që mund të themi është, gëzoju o popull vetingut, gëzoju drejtësisë së re që po vjen, me gjyqtarë të “përgjegjshëm”, të “ndershëm” dhe të përkushtuar në dhënien e “drejtësisë”, sikurse kanë bërë edhe këto 28 vjet.

Next Up