po ngarkohet...

Type to search

Familja shqiptare prej 6 vitesh në Francë, ja pse refuzon të rikthehet

Sociale

Familja shqiptare prej 6 vitesh në Francë, ja pse refuzon të rikthehet

Ndaje me miqtë

Familja Gjyryqi jeton prej 6 vitesh në Francë dhe anëtarët e saj janë të integruar plotësisht në vendin perëndimor, por të premten morën një OQTF ose obligim për të lënë territorin francez, duke u dhënë atyre 48 orë kohë për t’u larguar.

Mariola, nëna e tre fëmijëve thotë se nuk do që familja e saj të kthehet në Shqipëri, pasi nuk janë të sigurt. Ajo pretendon se janë të kërcënuar në Shqipëri, pas një konflikti në lagjen e tyre nga ku shtëpia u shkatërrua plotësisht.

“Nuk kemi shtëpi në Shqipëri”, shton Mariola.

Edhe pse ata tashmë kanë paraqitur një ankesë për pezullim të vendimit në Gjykatën Administrative të Besançonit, janë të tronditur nga lajmi.

“Burri ka një kontratë punësime më CDI, fëmijët e mi janë të tre të arsimuar dhe kanë rezultate të mira, nuk e kuptoj këtë vendim të prefekturës”, shpjegon Mariola.

Anëtarja më e vogël e familjes, Ersiola, 14 vjeç është duke ndjekur klasën e pestë në Kolegjin Albert Jacquard në Lure dhe flet rrjedhshëm gjuhën frënge, ndërsa ka rezultate të shkëlqyera në shkollë.

“Ndihem si në shtëpi në Lure. Unë kam shumë miq këtu dhe e shoh të ardhmen e jetës time në Francë”, thotë Ersiola.

Eric Houlley, kryebashkiaku i qytetit mbështet qasjen e tyre për të qëndruar në Francë.

“Është një familje shumë mirë, e integruar me ne, e cila nuk përbën problem. Unë respektoj ligjin, por aspekti njerëzor duhet të jetë primar në këtë çështje”, tha kryebashkiaku i Lure.

Fati i familjes Gjyriqi tani është në duart e Gjykatës Administrative të Besançonit, e cila duhet të vendosë, ndërsa prefektura e Haute-Saône nuk dëshiron të komentojë për situatën.