po ngarkohet...

Type to search

Mashtrimi i shkollave të huaja në Shqipëri – Pjesa e parë

Sociale

Mashtrimi i shkollave të huaja në Shqipëri – Pjesa e parë

Ndaje me miqtë

Nuk është sekret që shkollat ​​publike në Shqipëri vuajnë nga mungesa e fondeve, mungesa e kushteve dhe kanë probleme lidhur me personelin që punon në to.

Si rezultat, ata që arrijnë ta përballojnë financiarisht dhe shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private. Por a marrin ata në këmbim kushte vërtet më të mira?

Pas muajsh hetimesh në disa shkolla private të Shqipërisë dhe në disa shkolla në gjuhën angleze, Exit.al zbuloi një sërë skandalesh dhe çështjesh që kanë pllakosur sektorin privat.

Exit.al intervistoi punonjës të mëparshëm dhe të tanishëm, prindër fëmijësh që kanë mësuar në këto shkolla, si dhe punonjës të tjerë të administratës. Ajo që gjetëm ishte e habitshme – evazioni fiskal, ndërtimi i paligjshëm, akuza për abuzim me fëmijë, praktikat diskriminuese në punësim, mungesa e mbrojtjes së ligjit të punës dhe përdorimi i drogës janë vetëm disa prej problemeve.

Pabarazia në paga

Një mësues, që punon në një shkollë që ka disa degë në Shqipëri, ma shpjegoi se si kolegët shqiptarë marrin një rrogë dukshëm më të ulët dhe se kjo praktikë është e përhapur në të gjithë industrinë e arsimit.

Pavarësisht se bëjnë të njëjtën punë dhe kanë të njëjtat kualifikime, madje edhe kualifikime më të rëndësishme sesa punonjësit e huaj, shtetasit shqiptarë marrin rroga katër ose pesë herë më të ulëta se sa ato të huajt.

“Një mësues shqiptar me diplomë masteri dhe certifikatë mësimdhënieje paguhet rreth 500 euro në muaj, ndërsa një mësues i huaj paguhet rreth 2 mijë euro në muaj, plus pagesat bileta avioni, akomodimit, shërbimit shëndetësor dhe të tjera përfitime – megjithëse mund të jenë më pak të kualifikuar,” tha një burim për Exit.al.

Kjo praktikë rezultoi se ndodh në shumë prej shkollave të marra nën vëzhgim dhe në shumicën e rasteve niveli i pagave nuk pasqyron nivelin e përvojës apo cilësinë e edukimit, por vetëm atë të kombësisë. Në një shkollë tjetër, një mësues i huaj me një certifikatë TEFL (certifikata për mësimin e gjuhës angleze) dhe pa diplomë tjetër, paguhet dyfish më shumë se një mësues shqiptar me diplomë universiteti dhe certifikatë mësimdhënieje.

Mësues të tjerë u shprehën se si punonjësit e huaj, që bashkëjetojnë ose martohen me shqiptarë, paguhen më pak ose u hiqen përfitimet ekstra, çka i bën disa prej tyre tçka gënjejnë për të mbrojtur të ardhurat dhe përfitimet e tjera ekonomike.

Kjo praktikë është një rast i qartë i diskriminimit në bazë të kombësisë dhe shtetësisë, çka që është e paligjshme në pjesën më të madhe të shteteve, po veçanërisht në vendet e BE-së.

Stafi i pakualifikuar

Dikush nga stafi i Exit.al u paraqit në një sërë shkollash të huaja si i interesuar për të punuar në to. Asnjë nga shkollat ​​nuk kërkoi ndonjë dokumentacion në lidhje me kualifikimet, por u mjaftuan vetëm me një rezyme, dhe askush nuk kërkoi referenca apo dëshmi penaliteti, siç duhet të jetë standardi kur punon me fëmijë.

Një prej punonjësve të stafit të një shkolle private, që pretendonte se kishte dhjetëra vite përvojë, u zbulua se nuk kishte asnjë provë për librat që pretendonte se kishte shkruar, për shkrimet akademike që pretendonte se kishte botuar, për shkollat ​​ku pretendonte se kishte punuar, apo për institucionet ku kishte studiuar. Ky individ kishte rol të rëndësishëm në shkollë, pavarësisht akuzave për ngacmim ndaj fëmijëve dhe stafit.

Na u tha, gjithashtu, se kontrollet për të shkuarën e individit, për dëshminë e penalitetit apo të referencave nga punëdhënës të mëparshëm nuk bëheshin gjithmonë dhe në disa raste anëtarët e stafit duhet t’i kërkonin me ngulm pronarëve shqiptarë se kjo ishte procedurë e nevojshme për t’u bërë. Referencat nga punëdhënësit e mëparshëm kontrollohen rrallë dhe një burim deklaroi se “shkolla shpesh i jep referencë pozitive edhe një punonjësi jo të aftë, vetëm për ta larguar nga puna – ata nuk ia vlejnë aq sa shkruhet në letrat e referencës për to”.

Për sa i përket shkollave private, Exit.al u njoh me dy raste ku stafi nuk kishte kualifikimet e duhura. Sipas ligjit shqiptar, një mësues i shkollës së mesme duhet të ketë një diplomë në lëndën për të cilën u jep mësim fëmijëve, por duke shfletuar disa nga faqet e internetit të shkollave private, shihet qartë se nuk ndodh gjithmonë kështu.

Cilësia e mësimdhënies

Një mësues në një shkollë private të njohur shpjegoi se si mësuesit shpesh u thonë nxënësve se nuk janë në nivelin e duhur në një lëndë të caktuar. Kjo gjë i alarmon prindërit dhe kur ata shkojnë në shkollë për t’u interesuar, shkolla i ofron orë shtesë mësimi kundrejt pagesës, edhe për lëndë krejt të panevojshme.

E njëjta gjë ndodh edhe në disa shkolla të tjera të huaja, tha një tjetër burim për Exit.al. Mësuesit shpesh thoshin se nxënësi ishte në një nivel më të ulët sesa reali, për të zgjatur ose për të shitur më shumë kurse, qoftë nëpërmjet shkollës, qoftë privatisht me fëmijën.

Zbuluam gjithashtu se nëse shkolla nuk ofron një Diplomë Ndërkombëtare Baccalaureate (DNB), provimet nuk janë të njohura jashtë. Kjo do të thotë që rezultatet dhe notat janë tërësisht në duart e shkollës, duke e lënë sistemin të hapur për manipulim apo abuzim. Diplomat DNB janë të disponueshme vetëm në një pjesë të vogël të shkollave private shqiptare, ku vlerësimi i jashtëm ushtrohet vetëm në dy vitet e fundit të shkollës së mesme.  Deri në atë pikë, notat e nxënësve mund të jenë shpesh joreale, të fryra, të blera, bazuar në diskriminim ose penalizim, si e si që shkolla të mund të përfitojë para.

Sa i përket akreditimit, një mësues na tha se shumë shkolla zgjedhin mënyrën më të thjeshtë të mundshme për akreditim. Për shembull, shumë pak zgjedhin akreditimin nga Council of International Schools (Këshilli i Shkollave Ndërkombëtare), sepse kjo kërkon që shkollës private t’i kontrollohen dhe regjistrat e financës. Për të shmangur këtë, shumë shkolla zgjedhin akreditimin nga Ed Advanced, që është më pak rigoroze në kontrollin e financave; çka do të thotë se shkollat me praktika më të fshehta kontabiliteti preferojnë këtë mënyrë akreditimi.

Tarifat

Shumë shkolla, si private, ashtu dhe ato të mësimit në gjuhën angleze, refuzojnë të japin informacione për tarifat, qoftë në faqet e tyre në internet, qoftë në bisedat telefonike. Kjo gjë u konfirmua pas shumë tentativave të Exit.al për të mësuar tarifat e shkollave.

Një burim yni, që punon me kohë të pjesshme në një shkollë private, tha se shkollat nuk japin informacione mbi tarifat, sepse i ndryshojnë ato vazhdimisht, në varësi se si e perceptojnë gjendjen financiare të personit të interesuar. I njëjti person shtoi se nëse për shkollimin e dikujt paguan një kompani apo ambasadë, tarifat dyfishohen ose trefishohen.

Një tjetër burim – një ish-drejtor i një prej shkollave të mëdha ndërkombëtare, që e praktikonte këtë mënyrë tarifimi, tha se kjo ndodh për shkak të evazionit fiskal. Duke mos i publikuar çmimet askund, autoritetet nuk kanë si ta llogarisin se sa taksa duhet të paguanin apo të mos paguanin, në këtë rast, shkollat.

Në shumë raste shkollat këmbëngulin që pagesa e tarifave të bëhet me para në dorë, pa lëshuar fatura tatimore.

Ato pak shkolla që i publikojnë çmimet, kanë çmime që nisin nga 3 mijë deri në 17 mijë dollarë në vit, çmime të ngjashme me mesataren e çmimeve në shkollat private në Mbretërinë e Bashkuar. Shpesh tarifat rriten deri në 40 për qind nga viti në vit, pa paralajmërim, duke bërë që shumë prindër të kenë vështirësi për ta paguar.

Një mësues, i cili punon në një shkollë me sistemin DNB, na tha se sa e vështirë është për një fëmijë që të largohet nga një shkollë e tillë dhe të shkojë në një shkollë normale, gjë që bën që nxënës të humbasë në edukimin e tij.

Ata thanë se Ministria e Arsimit duhet të vendosë kufizime për rritjen e çmimeve, që nuk duhet të kalojnë 7.5 përqind në vit – duke lejuar që prindërit të planifikojnë përpara dhe të jenë në gjendje të përballojnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre.

Në pjesën e dytë të investigimit do të shqyrtojmë akuzat për abuzimet e personelit me lëndë narkotike dhe abuzimet ndaj fëmijëve, të mbajtura të fshehta, që kanë ndodhur në shkollat private dhe në ato në gjuhën ​​angleze në Shqipëri.

exit.al